Lakrori e Birra Korça from The Balkan Web

From the Balkan Web:

Lakrori e Birra Korça ‘harbojnë’ turistët

Nga: JASMINA HASANLLARI

Lakrori e Birra Korça

Lakrori e Birra Korça

KORCE- Sezoni turistik i verës në qytetin e Korçës ka vijuar me festën e lakrorit duke tërhequr vëmendjen e qindra turistëve. Për të pestin vit me radhë festa e lakrorit me dy petë dhe e pjekur në saç është zhvilluar në Korçë për të ekspozuar traditën e hershme të qytetit juglindor, ndërsa e ka kthyer Korçën në një arenë të madhe festive. Kështu, mbrëmja e së shtunës, e nisur pikërisht në orën 19:00, mblodhi në ambientet e parkut “Rinia” të qytetit të Korçës qindra banorë, vizitorë, por edhe turistë të huaj.

Amvisat korçare, por edhe ato të ardhura nga fshatrat Polenë, Dardhë dhe Boboshticë, mes zjarreve, shkarpave dhe tavolinave të improvizuara, gatuan në park mes gjelbërimit dhe freskisë lakrorë me dy petë, duke i pjekur më pas në saç. Ndërkaq qindra qytetarë dhe turistë kanë shijuar këtë festë deri në detaj, jo vetëm duke shijuar lakrorin e famshëm korçar, por edhe duke shijuar Birra “Korça” deri në orët e para të mëngjesit. Një kombinim që i ka lënë tejet të kënaqur turistët, të cilët kanë konsumuar litra pafund të birrës së njohur të këtij qyteti dhe të gjithë Shqipërisë. Më shumë se 300 lakrorë u përgatitën dhe u poqën mbrëmjen e së shtunës dhe më pas u tregtuan për personat e pranishëm në këtë festë. “Ne e kemi traditë gatimin e lakrorit me dy petë, njihet gjithandej lakrori ynë i pjekur në saç, – thotë Mirjeta Braçe, një prej amvisave korçare, – është traditë e jona që e përcjellim brez pas brezi. Kjo festë na ka mbledhur këtu për të gatuar lakror në natyrë. Secila nga ne gatuan më shumë se 50 lakrorë me dy petë dhe sinqerisht këtë vit është preferuar shumë nga turistët”, – shton ajo.

Lakrori me dy petë, i pjekur në saç, ekspozon traditën e hershme të qytetit të Korçës dhe rrethinave të tij si Boboshtica, Dardha etj. Festa më e veçantë e organizuar në këtë qytet ka vijuar deri në orët e vona të natës nën shoqërinë e lakrorëve të pjekur në saç, freskisë së pyllit, serenatave korçare dhe shijes së Birra “Korça”. Kjo festë vjen si një paketë e Bashkisë së Korçës për të ofruar ditë të gëzueshme, jo vetëm për banorët e këtij qyteti, por edhe për turistët e huaj. Por, kulmi i aktiviteteve festive në këtë qytet pritet të arrihet në mes të muajit Gusht me festën gjigande të Birrës “Korça”.

TURISTËT “Është një festë shumë e veçantë në fakt unë këtu isha për pushime, por më vjen mirë që u provova dhe lakrorin korçar, – thotë Ana Timo, një prej turisteve. “Gjithçka është organizuar mirë, duke nisur nga tavolinat e improvizuara, muzika që të shoqëron vetëm serenatë e gjithashtu freskia e pyllit na pëlqen shumë. Është interesante edhe fakti i gatimit të amvisave korçare, pasi ato kanë zhvendosur traditën e tyre në pyll, gatuajnë lakror për gjithë qytetit dhe për ne turistët. Urime për organizimin, megjithëse kemi dëgjuar që Korça është qytet i festave. Do doja shumë të shijoja edhe festën e “Birrës Korça”, pasi kam qenë vjet dhe kam kaluar net të paharru-eshme. Natyrisht janë festa që vetëm Korça di t’i organizojë”, – shprehet më tej ajo.
(m.a/GSH/BalkanWeb)

Leave a Reply