Tag Archives: Golloborda

Albania 100 Years Ago – 100 vjet më parë – Mars 1914 – Nga Kalendari i Vatrës i Motit 1918

Mars 3, 1914 – Madhështia e Tij, Princi Wied që ka pranuar fronin e Shqipërisê dhe do të mbanjë emrin Mbreti Wilhelm I, i telegrafon kryetarit të Komisionit të Kontrollit se me 7 të këtij muaji do të dalë në Durrës.

Një tejshkrim nga madhori Mustafa Arianiti na lajmëron se sot hyri xhandarmëria jonë në Korçë, e cila iu dorëzua prej oficerit grek kollonelit Kondulis.

Mars 6, 1914 - Në Odriçan oficeri grek fton oficerin shqiptar të vejë të marrë vendin. Po me të qasur xhandarmëria shqiptare, Grekët u hapin zjarrin me të pabesë: Vriten dymbëdhjetë shpirt dhe oficeri Qani plagoset.

Mars 7, 1914 - Madhështit’e Tyre Mbreti Wilheml i Parë dhe Mbretëresha Sofia ardhë në Durrës. Qyteti i tërë ishte në festë. U bë një pritje fort e bukur. Kishin ardhur delegatë prej çdo qyteti dhe prej kollonive jashtë Shqipërisë. Natën u bënë parada me flamur dhe me fenerë. Mbreti në krye të shkallës së Pallatit u jepte të fala botës. Të gjitha shtëpitë ishin ishin zbukuruar me fenerë. Mbreti disa dit me rradhë priti urimet e parësisë së delegacjeve që ardhë edhe prej Matit, Dibrës, Shkodrës, Korçës, Elbasanit, etj.

Mars 10, 1914 – Njëqind xhandarë u nisnë prej Durrësit për në Vlorë që të ndodhen gati të venë në Sarandë kur ta lëshonjë Greku.

At Fan Noli bëri një shërbesë fetare në shesh përpara pallatit për nder të Mbretit. U ndodhë shumë njerëz, po Dhespoti kishte porositur që të mos gjendet asnjë i krishterë vendës.

Mars 13, 1914 - Në xhami të madhe të Durrësit u bë një lutje për Mbretin në të cilën u gjend Madhështia e Tij.

Mars 14, 1914 – Arriu në Durrês Turhan Pasha Përmeti, i thirrur prej Madhështisë së Tij Mbretit.

Mars 15, 1914 - U bë një lutje në Kishën Orthodokse për nder të Mbretit dhe të Mbretëreshës. Madhështitë e Tyre u ndodhën në Kishë me gjithë pasësit.

U formua kabineti: Turhan Pasha Kryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme; Esat Pasha Ministër i Punëve të Brendshme dhe i Luftës; Myfit Be Libohova i Drejtësisë; Dr. Turtulli i Mësimit; Dr. Adamidi i Financave; Aziz Pashë Vrioni i Bujqësisë; Hasan Be Prishtina i Postës dhe i Telegrafeve; Bib Doda i Punëve Botore. – Po Bib Doda nukë vajti në Durrës.

U bë një lutje në Kishën Katholike të Durrësit për Mbretin.

Mars 22, 1914 – Merret vesh se në anët e Gollobordës njerëzit e Esatit mbajnë prapë frymën fanatike dhe i paskan çuar fjalë Esatit: “Qysh e kishim fjalën?” Esati u paska çuar përgjigje se “Unë prapë n’atë fjalë jam, po pres kohën.”

Mars 26, 1914 – Trubullim në Starovë, lu njerëzit e Esatit, domethënë ata që ishin kryengritur kundër nënpretorit të parë, nuk lirojnë udhën e Korçës. Bëhet goditje në mes tyre dhe xhandarmërisë së Korçës.