Tag Archives: Korçë

100 vjet më parë: 11, 12 prill 1914 – Nga Kalendari i Vatrës, 1918.

Prill 11, 1914 – Grekët ndonëse i kanë lëshuar disa vise të Toskërisë në duar të xhandarmërisë shqiptare me protokoll, duan t’i shkelin dhe t’i zaptojnë prapë me të pabesë. Qeveria greke dekllaron zyrtarisht që shkelësit nukë janë ushtarë të saj, po andartë të së vetëthënës “Qeveri Epirote”. Nga ana tjatër, raportet e oficerëve hollandezë provojnë se ata Epirotë nukë janë përveç se ushtarë grekë të vërtetë që ndërrojnë pak rrobat me ditje dhe me urdhër zyrtar të qeverisë dhe të oficerëve të tyre. Sot grekët i ranë Kuqarit, Pacomitit dhe Velçishtit afër Përmetit: u vranë tre nga tanët dhe tre u plagosnë.

 

Prill 12, 1914 – Bëhet një goditje në Grykë të Postenan-Lashovës. Grekët kundër fjalës së dhënë, duan të kapërcejnë kufirin e shënuar dorë pas dore. Vriten tre prej tanëve.

Arrin në Durrës Varatasi, qeveritar i Korfuzit, si ambasador nga ana e Greqisë dhe kërkon të bënjë një marrëveshje me qeverinë shqiptare për punën e Shqipërisë Jugore (Korçë, Gjinokastrë, Delvinë), të cilën grekët e quanin Epir. Madhështia e Tij, Mbreti e refuzon këtë proponim.

[Pas Midhat Frashërit, Kalendari i Vartrës i motit 1918, redaktor Fan S. Noli, f. 33].

100 vjet më parë – Korçë, 5 prill 1914 – Masakra e Ballamaçëve

Prill, 5, 1914 – Bëhet një luftë në Shënd-Elli, afër Korçës. Grekët kishin ardhur me ushtarë të rregullshim dhe me oficerë nga ana e Bilishtit; në mes të tyre ishte dhe ish-deputeti Bushio nga Serfixheja: ushtarët ishin më tepër se treqind me tri mitraloza; të tjerë grekë kishin dashur të vijnë nga Gryka e Mborjes, po kishin gjetur udhën të mbyllur. Grekët u thyen në luftë dhe u hoqnë prapë, duke lënë shumë të vrarë dhe dy mitraloza. Kumandari i grekëve ishte oficeri Mavraza. Atë ditë, brenda në Korçë, andartë të fshehur bënë disa vrasje. Në mes të tjerëve, therrën në një mënyrë çnjerëzore At Harallamp Ballamaçin, priftin Vllah, të vëllanë dhe kushëririn. Gjith’ atë ditë, grektë doqnë 64 shtëpi në Gracë, 16 shtëpi në Poloskë të Devollit, dhe 3 shtëpi në Verlen. Në Gracë masakruan gjashtë burra dhe tri gra, dhe doqnë të gjallë një burrë dhe një grua.

[Hartuar nga Mithat Frashëri, marrë nga Kalendari i Vatrës. i Motit 1918, redaktuar nga Fan S. Noli – f. 32, 33].

100 Years Ago – 100 vjet më parë – 2 prill 1914

Nga Kalendari i Vatrës i Motit 1918 – redaktuar nga Fan S. Noli

“Prill 2, 1914.- Trazim në Korçë: Ca grekomanë, të shtyrë prej agjentëve të Greqisë dhe prej kapedan Sulos (njeriut të Dhespotit), nga mezi i natës, zunë të hedhin pushkë, duke thirrur: “Rroftë Autonomia! Rroftë Greqia!” Vriten disa prej shqiptarëve, pastaj kërcet pushka brenda në qytet dhe vriten edhe të tjerë nga të dyja anët. Arrijnë njerës nga fshatrat e Korçës dhe qetësohet qyteti.”

Shënim: “Datat dhe ngjarjet …nga Janar 7, 1914, gjer më Nëntor 7, 1914, janë marrë fjalë pas fjale nga KALENDARI KOMBIAR i motit 1915, dhe janë të shkruara prej shkrimtarit dhe atdhetarit të njohur Lumo Skëndo (Midat Be Frashëri)” – Nga Kalendari i Vatrës i Motit 1918, redaktuar nga Fan S. Noli, f. 32.