Tag Archives: Museum

Bratko Museum of Oriental Art in Korça in danger

http://www.balkanweb.com/gazetav5/artikull.php?id=131781

 

Muzeu oriental në Korçë, drejt rrënimit

 (Dërguar më: 24/04/13) Enkelejda Skënderasi

Muzeu Oriental “Bratko” në Korçë me objekte artistike orientale, kryesisht japoneze, kineze dhe indiane po shkon drejt rrënimit. Reshjet e këtij dimri sollën rënien e suvasë të jashtme të ndërtesës, ndërsa lagështira ka depërtuar në brendësi, veçanërisht në pjesën e tavanit, duke rrezikuar objektet me vlera të veçanta kulturore. Gjithashtu edhe mbulesat e verandave të kësaj ndërtese kanë lëvizur nga vendi, duke e bërë situatën në fjalë edhe më problematike. Jonilda Trebicka, përgjegjësja e muzeut oriental “Bratko” në Korçë thotë për “Gazetën Shqiptare” se ndërhyrja për restaurimin e këtij objekti, që është jo pak i rëndësishëm për qytetin, është emergjente, me qëllim që ky monument t’i rezistojë degradimit të mëtejshëm. Sipas Trebickës, aktualisht është duke u punuar për të kontaktuar me ambasadat e vendeve orientale apo fondacione të ndryshme, me qëllim sigurimin e fondeve dhe restaurimin e godinës. Ndërtesa në fjalë ka relike të rralla të grumbulluara ndër vite dhe të lëna amanet për Korçën nga shqiptaro-amerikani Gjergji-Dhimitër Mbroja (Bratko), ndërsa aktualisht është në varësi të Qendrës Kulturore “Vangjush Mio”. Kanë qenë pikërisht vitet ’90, kur muzeu i sapondërtuar iu bë dhuratë Bashkisë së Korçës së bashku me 400 reliket e çmuara. Në këtë muze gjithashtu gjenden fotografi të ndryshme që datojnë rreth 200 vjet më parë me rëndësi të madhe historike dhe kulturore jo vetëm për Korçën, por edhe për vizitorë të ndryshëm. Fotografi i njohur shqiptaro-amerikan Dhimitër Mborja pati një karrierë të shkëlqyer në ushtrinë amerikane si dhe në Hollivud.
Muzeu oriental “Bratko” është dëmtuar së tepërmi. Nga se ka ardhur dëmi?
Ka pasur një dimër të ashpër në Korçë, dëbora dhe shiu kanë bërë punën e tyre dhe sigurisht kanë sjellë dëmtime të godinës muzeale, por fatmirësisht jo në dhomën ku ndodhen objektet. Megjithatë ne po punojmë intensivisht për të filluar sa më parë rikonstruksionin e godinës muzeale dhe kthimin e saj në gjendjen e mëparshme.
Cilët do të jenë financuesit e këtij muzeu?
Për momentin ne po përpiqemi të gjejmë kontakte me ambasadat e këtyre vendeve orientale, me qëllim që këto të na ndihmojnë me financimin e restaurimit të godinës, nisur edhe nga interesi që kanë këto, që kultura e tyre të njihet më gjerë. Por gjithashtu po përpiqemi të mbledhim fonde edhe nga fondacione të ndryshme, që ta kthejmë në identitet këtë vlerë të madhe për Korçën.
Cilat janë vlerat e këtij muzeu?
Ka ndoshta shumë pak njerëz që e dinë se në Korçë është hapur 13 vjet më parë një muze me objekte artistike orientale, kryesisht kineze, japoneze, indiane, koreane etj. Janë objekte nga më të ndryshmet, duke filluar nga veshjet e këtyre vendeve pse jo edhe orendi të ndryshme. Natyrisht që mbartin në vetvete dhe vlera të mëdha kulturore dhe historike. Gjithashtu krahas këtyre relikeve në këtë ndërtesë muzeale gjenden edhe fotografi të ndryshme, që u përkasin viteve 1800 dhe janë mjaft të rëndësishme.
Ka pasur më herët ndonjë restaurim të pjesshëm në këtë muze?
Në fakt ky muze është hapur gati 13 vjet më parë, por fatmirësisht nuk ka pasur nevojë për ndërhyrje. Këtë herë dimri i ashpër ndikoi në degradimin e godinës, ndaj është e nevojshme restaurimi i saj. E rëndësishme është që të ndërhyhet në kohë, pasi nëse lihet në këtë gjendje, pasojat sigurisht që do jenë të pariparueshme.
Sa i rëndësishëm është ky muze për Korçën?
Muzeu oriental “Bratko” është shumë i rëndësishëm për qytetarët korçarë dhe për turistë që vijnë nga rrethe të ndryshme apo edhe nga jashtë. Kështu, të gjithë kanë mundësi të njihen me kulturën e vendeve aziatike, vlerat historike dhe fetare të tyre.